Vera e sivjetshme ka qenë mjaft favorizuese për përhapjen e mushkonjës Tigër, një vektor i cili transmeton tek njeriu disa sëmundje të rrezikshme. Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, vendet ku insekti ndeshet më dendur janë vatrat me ujë të ndenjur dhe gomat e makinave. Mushkonja Tigër e cila gjendet thuajse pranë çdo vendbanimi, është një rrezik potencial për përhapjen e disa lloj sëmundjeve siç janë ethet dengue apo çikungunja, të cilat japin temperaturë të lartë, ethe, diarre deri dhe probleme serioze me kockat. Mushkonja Tigër, sipas specialistëve së ISHP, mund të gjendet në pjesën më të madhe të territorit të vendit. Prania e saj është vërtetuar nga Malësia e Kelmendit deri në Butrint. Prania e mushkonjës Tigër në vendin tonë është vërtetuar që prej vitit 1979 dhe i pari që e ka zbuluar ka qenë profesor Jorgji Adhami. Shqipëria ka qenë i pari vend, ku mushkonja është gjendur jashtë vendit të origjinës që është Azia. Mendohet se ajo është transportuar deri në vendin tonë nëpërmjet transportit të mallrave në rrugë detare. Përveç vapës dhe lagështirës, ku mushkonja Tigër gjen terren për t'u zhvilluar, ajo është mjaft rezistente edhe ndaj të ftohtit dhe thatësirës.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment